Live

Të akuzuar për trafik droge në Itali, arrestohen tre të rinj në Fier

09:36 / 27 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Tre të rinj, të akuzuar nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike janë arrestuar nga policia në Fier.

Policia bën me dije se të arrestuarit rezultonin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit në Itali iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i  narkotikëve”.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane, konkretisht:

Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier;

Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier;

Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier.”

Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdha droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit. Maksimumi i dënimit për tre të rinjtë fierakë është 10 vjet burgim.

Sakaq, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën ka nisur procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali, njofton A2 Cnn, transmeton Klankosova.tv.

Shpërndaje në

U Kopjua