Live

Thirrjet raciste, Krasniqi thotë se Kurti ka përgjegjësi morale për klimën antishqiptare në Maqedoni

14:15 / 04 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u mbajt të shtunën, një pjesë e tifozëve të pranishëm në sallë shpërthyen me kore antishqiptare.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi, cili i ka quajtur të rënda dhe të papranueshme thirrjet raciste, duke thënë se dëmtojnë bashkëjetesën në Maqedoni dhe përtej tij, transmeton Klankosova.tv.

“Thirrjet “vdekje për shqiptarët” e “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra në një palestër sportive në Maqedoninë e Veriut, në prani të Kryeministrit Mickoski dhe delegacionit qeveritar, janë të rënda e të papranueshme dhe dëmtojnë bashkëjetesën në këtë shtet dhe përtej tij. Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike e europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje, politikani thotë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka përgjegjësi të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist, sepse, sipas tij, heshtja konsiderohet miratim.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka përgjegjësi të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist, sepse heshtja konsiderohet miratim. Ashtu si një tjetër heshtje që po bëhet gjithnjë e më zhurmshme: ajo e Kryeministrit në ikje të Kosovës, që si kumbara i kësaj qeverie në Shkup, mban përgjegjësi morale dhe politike për këtë klimë anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës”.

“Dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme. Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit! Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet, dhe nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më”.

Shpërndaje në

U Kopjua