Teksa kanë mbetur edhe pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kandidatët Kamala Harris dhe Donald Trump kanë zhvilluar fushatë elektorale në shtetet e luhatura të Nevadës e Arizonës.
Sipas mediave të huaja, Trump tha nga Arizona se RFK Jr, i cili është përfolur për teori të pabazuara konspirative rreth vaksinave, do të punonte për shëndetin e grave në administratën e ardhshme të tij, nëse ai fitonte zgjedhjet.
Harris u tha mbështetësve në Las Vegas, Nevada se SHBA ishin të rraskapitura me ndarjet në shoqëri që kishte krijuar Donald Trump. Ajo premtoi një ulje të taksave për klasën e mesme nëse zgjidhet duke thënë se ulja e kostos së jetesës ishte një përparësi kryesore.
Shtatë shtetet e lëkundura, ku pesë të tjerat janë Xhorxhia, Miçigani, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin, mendohet se mbajnë çelësat e Shtëpisë së Bardhë, pasi ato janë të vetmet ku mund të ketë lëvizje të mëdha votash, ndryshe nga shtetet e tjera të cilat thuajse e kanë të përcaktuar fituesin, shkruan A2CNN.
Këto shtete ku fituesi është i paqartë janë thelbësore, sepse SHBA nuk i zgjedh drejtpërdrejt presidentët e saj. Në vend të kësaj, procesi zhvillohet përmes Kolegjit Zgjedhor, ku 538 përfaqësues votojnë në përputhje me rezultatet e tyre shtetërore.
Për tu shpallur fitues, një kandidati duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor ndahen në shtete bazuar në popullsinë e tyre dhe shumica e shteteve i japin të gjitha votat e tyre cilitdo kandidat që fiton shtetin në votimin e përgjithshëm
Megjithatë, modeli “fituesi i merr të gjitha” nuk zbatohet në shtetet si Nebraska dhe Maine, të cilat në vend të kësaj, i shpërndajnë votat e tyre në mënyrë proporcionale bazuar në rezultatet e tyre përfundimtare.
Trump do të flasë në Michigan dhe Wisconsin më vonë sot, ndërsa Harris po mban një tubim në Wisconsin.
Dita e Zgjedhjeve në SHBA, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale dhe ato të Kongresit, është caktuar për të martën, 5 nëntor.