Presidenti amerikan, Donald Trump para takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn në Uashington dhe me udhëheqësit evropianë, ka thënë se Zelensky mund ta përfundojë luftën “pothuajse menjëherë” nëse do të donte.
Presidenti amerikan gjithashtu përjashtoi lejimin e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n ose për të rimarrë Krimenë e pushtuar nga Rusia si pjesë e negociatave me Moskën.
“Presidenti i Ukrainës, Zelensky, mund t’i japë fund luftës me Rusinë gati menjëherë, nëse e do këtë, apo mund të vazhdojë të luftojë. Kujtoni si nisi. Nuk ka kthim të Krimesë të dhënë nga Obama (12 vjet më parë, pa asnjë të shtënë!), nuk ka hyrje të Ukrainës në NATO. Disa gjëra kurrë s’ndryshojnë!!!”, ka shkruar Trump.

Ndërkohë, me të mbërritur në Uashington për takimin të dielën vonë, Zelenskyy tha se shpresonte që “forca e përbashkët” e Ukrainës me homologët amerikanë dhe evropianë do ta detyronte Rusinë të arrinte paqen.
“Jam mirënjohës ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara për ftesën. Ne të gjithë duam njësoj ta përfundojmë këtë luftë shpejt”, tha Zelensky në aplikacionin e mesazheve Telegram.
“Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën dhe me miqtë tanë evropianë do ta detyrojë Rusinë të arrijë paqe të vërtetë”, ka shkruar ai.