Live

Tubimet e Kurtit e Gërvallës me mërgatën, Çitaku: Qeveria po i përdorë Ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë

13:39 / 09 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka mbajtur një konferencë për media, lidhur me tubimet që po mbajnë Kryeministri Albin Kurti dhe Kryediplomatja Donika Gërvalla me diasporën.

Çitaku ka thënë se Qeveria po i përdor ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë.

“Ditëve të fundit, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës po tenton që të kamuflojë axhendën partiake si punë zyrtare qeveritare.

“Dhe, mbi të gjitha, është një manipulim i diasporës sonë, e cila meriton respekt dhe ndershmëri, jo skema të ulëta politike. Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë treguar një përkushtim të palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada. Ata meritojnë respekt, jo manipulim”, ka thënë më tutje Çitaku.

Ajo ka akuzuar Kurtin e Gërvallën se po ushtrojnë presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

“Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi. Mos lejoni të përdoreni si instrumente në fushatën e kësaj qeverie.   Kujtoni, ju jeni përfaqësues të Kosovës, jo përfaqësues të një axhende partiake.  Ju keni bërë betimin për t’i shërbyer Kosovës”, ka thënë sekretarja e PDK-së.

Në fund të fjalimit të saj, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së iu drejtua edhe Kryeministrit me një mesazh të drejtpërdrejt:

“Kosova meriton më mirë se ju dhe oborrtarët e tu të paaftë e abuzues.  9 shkurti është fundi i këtij mentaliteti qeverisës dhe fillimi i një epoke të re me Qeverinë Hamza.  Kosova mundet ma mirë. Kosovën do ta bëjmë më të mirë”, tha Çitaku.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...