Live

Turi ballkanik i Von der Leyen, çfarë mesazhe solli presidentja e KE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor

16:52 / 27 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Për herë të katërt në pesë vjet, presidentja e Komisionit Evropian vizitoi vendet e Ballkanit Perëndimor dhe këtë  duke dërguar mesazhe mbështetjeje për Ballkanin Perëndimor dhe ka paralajmëruar ndihmë si pjesë e Planit Evropian të Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh.

Vizita ishte pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende. Kjo vizitë erdhi përpara publikimit të progres-raporteve për vendet aspirante për në BE gjatë procesit të zgjerimit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ndalesa e parë e Von der Leyen ishte në  Tiranë, ku qëndroi dy ditë 23 dhe 24 tetor vlerësoi angazhimin për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Ursula von der Leyen, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut, pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Tiranë.

“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, tha Von der Leyen në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ramën.

Më vonë gjatë një vizite te Kolegji Evropian në Tiranë, Von der Leyen tha se tani “po fryn një erë ndryshimesh në Ballkanin Perëndimor.

“A mund të ndalojë kush erën e ndryshimeve? Sot kjo erë ndryshimesh po fryn jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por dhe në Ukrainë e Moldavi. Por, ka dhe erëra të tjera që fryjnë në drejtime të kundërta, drejt nacionalizmit apo shtypjes. Rusia ka hyrë në Ukrainë pikërisht për faktin se Ukraina donte të bëhej pjesë e BE-së”, tha ajo, duke iu referuar pushtimit të plotë të Ukrainës që Moska e nisi në shkurt 2022.

Shefja e KE-së njoftoi se Shqipëria do ta pranojë në muajt në vijim këstin e parë prej 64 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i BE-së, nga 920 milionë euro në përgjithësi sa pritet t’i marrë në tri vjetët e ardhshme.

Pas Shqipërisë, Von Der qëndroi në në Shkup, ku u shpreh, se zgjerimi me vendet nga Ballkani Perëndimor mbetet një ndër prioritet e BE-së, megjithatë u vuri në dukje autoriteteve të Shkupit që të përmbushin detyrimet, përfshi këtu edhe ndryshimet kushtetuese.

“Jam e bindur se do të mund t’i tejkalojmë pengesat të cilat akoma janë prezente. Me dialog të përbashkët të të gjitha forcave politike në vend do të bashkoheni dhe do t’i ndërmerrni hapat e rëndësishme për përparim. Të jeni të sigurt se zgjerimi edhe në pesë vitet e ardhshme do të mbetet një prioritet i lartë i BE-së”, u shpreh Ursula von der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian.

“Ne kemi një objektiv të qartë, që është hapja sa më e shpejtë e klasterit. Duhet të zbatohen ndryshimet kushtetuese që vendi juaj të hedhë hapat vendimtarë për përparim”, theksoi presidentja e Komisionit të BE-së në Shkup, von der Leyen.

Maqedonia e Veriut përfiton 750 milion euro nga Plani i Rritjes.

Nga Shkupi, Von der Leyen shkoi në Sarajevë. Atje tha se Bosnjë e Hercegovina ka treguar shumë herë në të kaluarën se mund të arrijë rezultate në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) kur vepron e bashkuar.

Në kuadër të vizitës së saj në BeH, Von der Leyen zhvilloi takim me kryesuesen e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, ndërsa para kësaj u takua edhe me anëtarët e Presidencës së BeH-së. Pasditen e së enjtes ajo vizitoi Jabllanicën, e cila ka pësuar më së shumti nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e fundit të dheut.

Ajo vuri në dukje se BE-ja do të konsiderojë gjithashtu dhënien e ndihmës për BeH-në nga Fondi i Solidaritetit, i cili është në dispozicion të vendeve anëtare në rast të fatkeqësive natyrore.

“Fondi i Solidaritetit është fond që përdoret rregullisht nga vendet anëtare në rast fatkeqësish dhe katastrofash, por është i hapur edhe për vendet që kanë statusin e kandidatit. Sigurisht që do ta konsiderojmë këtë, por përveç kësaj, menduam se keni nevojë për ndihmë menjëherë dhe për këtë kemi marrë vendimin që menjëherë, pa vonesë, të mobilizojmë fondet në shumën prej 20 milionë eurosh, pasuar nga faza e rikuperimit dhe rehabilitimit, e cila do të mbështetet përmes Fondit të Solidaritetit”, tha Von der Leyen.

Ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e BeH-së në rrugën evropiane.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Beograd, Von der Leyen tha se i takon Serbisë të zgjedhë shpejtësinë e anëtarësimit, duke shtuar se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian po forcohet.

“Plani i rritjes duhet t’i afrojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tonat dhe gradualisht të integrojë tregun rajonal me tregun e përbashkët evropian. Parimi është shumë i thjeshtë. Ne i hapim dyert e tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian në sektorë të veçantë për kompanitë serbe dhe në këmbim, duhet të zbatohen disa reforma”, tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se vendeve kandidate u takon “të zgjedhin shpejtësinë dhe cilësinë e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Vendimi që përcakton shpejtësinë e integrimit në BE dhe anëtarësimit në familje është në dorën e vendeve kandidate. Unë e kam ndjekur Serbinë për pesë vjet dhe kam parë përparim dhe pres që ne të shkojmë përpara me sukses”, tha Von der Leyen.

Në Beograd, Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka anuluar një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, të premten në Beograd, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.

Arsyeja e anulimit, sipas zëdhënësit, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Pas Beogradit, të shtunën Von Der Leyen qëndroi në Kosovë, ku pati takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani.

Ajo tha vendimi i qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia dhe përparimi i saj në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, mund të hapin rrugën për heqjen e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vuri asaj pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të vendit.

Por, Von der Leyen ka deklaruar se duhet punuar për hapat e mëtejshëm që të arrihet në një pikë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të binden për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave”.

“Ne të dyja (Von der Leyen dhe Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

“Pas kësaj mendoj që duhet të punojmë në hapat e mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat ndaj Kosovës. Këto zhvillime gjithashtu do të ndihmojnë në bindjen e vendeve anëtare, sepse siç e dini, të gjitha shtetet duhet të pajtohen për një vendim të tillë”, tha ajo në një konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se është koha e fundit që të hiqen masat ndëshkuese.

“Përveç se të padrejta këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pa baraspeshë, të pabarabartë dhe pa besueshmëri”, tha ajo.

Gjatë ditës së djeshme në vizitën në Prishtinë, presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen po ashtu përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova pritet të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së”, tha Von der Leyen.

“Tashmë i kemi hapur sektorët e tregut të përbashkët për partnerët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që, për shembull, kompanitë nga Kosova mund të kenë qasje në tregun e përbashkët. Për këtë arsye na nevojiten reforma që të kemi një nivel të barabartë të pjesëmarrjes. Por, këto reforma do të shoqërohen me investime shtesë evropiane”, shtoi zyrtarja e lartë evropiane.

Nga Plani i Rritjes, në total, deri në fund të vitit 2027, nëse përmbush reformat Kosova do të përfitojë 882 milionë euro, duke u bërë përfituesja më e madhe e këtij plani për kokë banori.

Turin rajonal presidentja e KE-së e përmbylli me Mlain e Zi, ku është pritur nga presidenti malazez, Jakov Milatoviç, duke thënë se është e lumtur që turneun për Ballkanin Perëndimor e përfundoi në Podgoricë.

“Unë kam gjithmonë një pritje kaq të ngrohtë këtu. Populli i Malit të Zi është kaq i apasionuar pas Evropës”.

“Dhe ne duam që më në fund të bashkojmë kontinentin tonë dhe njerëzit tanë. Le ta bëjmë këtë të ndodhë”, ka thënë Ursula von der Leyen.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...