Sipas matjeve të fundit të Universitetit të Prishtinës, ka dalë se vajzat po donimojnë drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në këtë universitet.
Në njoftimin e tyre thuhet se trendi i rritjes së numrit të vajzave në drejtimet e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës është, jo vetëm në rritje të vazhdueshme, por edhe në ngritje në vlera shumë substanciale, si gati në asnjë universitet tjetër.
“Ndonëse përqindja e vajzave që studiojnë shkenca kompjuterike kudo në botë është e vogël, në një shtet gjeografikisht “të vogël” si Kosova, trendi i të rejave që synojnë karrierë në shkenca dhe inxhinieri kompjuterike—në të kaluarën, të perceptuara kryesisht si “drejtime të meshkujve”—ka shënuar rritje vit për vit, në dekadën e fundit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në UP, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, 50.7 për qind e studentëve janë vajza, ndërkaq në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, nga numri i përgjithshëm i studentëve në këtë departament, në vitin akademik 2021/2022, 55.9 për qind e tyre janë vajza.
Ndërkaq, sipas statistikave, në vitin akademik 2020/2021, ky numër ka qenë edhe më i lartë, në një përfaqësim total prej 61.8 për qind.
Sipas të dhënave të Universitetit të Prishtinës, situata nuk ka qenë e njëjtë para 10 vitesh, përcjell.
“Në vitin akademik 2012/2013, në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, vetëm 28.2% kanë qenë femra dhe, një vit më pas, më 2013/2014, kjo përqindje ka qenë edhe më e ulët, përkatësisht 26.8%. Vajzat në TIK po e tejkalojnë edhe mesataren e Bashkimit Evropian. Sipas statistikave aktuale, në këtë fushë, nga numri i përgjithshëm i studentëve, femra del të jenë vetëm 17% e tyre. Kjo është një dëshmi shtesë e përpjekjeve të UP-së dhe vendit për të inkurajuar dhe mbështetur vajzat dhe gratë në këtë fushë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas rektorit të Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.
“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re e është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë”, ka thënë Qerimi.