Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se për shkak të çmimeve të larta shoqëria kosovare është zhytur në borxhe.
Ajo publikoi një grafikon që krahason vitet 2018-2023 për mbitërheqjet e qytetarëve nëpër banka.
Më pas reagoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili “tha se a ka mbetur ndokush në LDK që merr vesh në ekonomi”.
“A ka mbetë najkush në LDK që merr vesh në ekonomi e financa me i tregu redaktores së portaleve se ku ka gabu me këtë grafikon, apo të gjithë ekonomistët e LDK-së janë kaq të kufizuar në njohuritë e tyre për temën? Komplet kreditë në sektorin bankar aktualisht janë 5.4 miliardë euro. Por sipas Hykmetes, vetëm mbitërheqjet e qytetarëve na qenkan 5.3 miliardë. Këso huqje vetëm ekonomistët e LDK-së mund të bëjnë. Përndryshe, sipas raportit të fundit të BQK-së, shifra e saktë e huamarrjes me maturitet deri në 1 vit për ekonomitë familjare është 57 milionë euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Më pas, erdhi reagimi i Hykmete Bajrami e cila e ka ftuar në debat Muratin.
“Hekuran, Eja në studio flasim për huqjet e mia e tuat. Këto të dhëna janë janë të BQK-së, janë qarkullim që qytetarët i bëjnë me overdraft. Shihe ku i ke shifrat për muajin dhjetor prej 2018 deri në 2023. E dita që ke me reagu, në emër të lirisë së fjalës. Të pres në studio”, ka shkruar Bajrami.