Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha në një konferencë për media se Serbia ka “dyshime të caktuara” se kush e shkaktoi shpërthimin që e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok të premtën në darkë.
Ai tha se ka pasur “një tentim për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj Serbisë”, ndërsa shtoi se po e zhvillojnë një hetim.
“Ata (Prishtina) akuzuan menjëherë Beogradin dhe Serbinë se qëndronin pas saj. Beogradi dhe Serbia nuk e kishin idenë për këtë dhe askush nuk duhet të shqetësohet, nuk ka një gjë të tillë, sepse nuk mund të provoni diçka që nuk ekziston”, tha Vuçiq.
Ai tha se po ndjekin “me kujdes” gjithçka që “është paralajmëruar nga Prishtina” dhe “sponsorët ndërkombëtarë” të Kosovës, siç i referohet bashkësisë ndërkombëtare. Vuçiq akuzoi edhe mediat e Kosovës.
“Unë do të deklaroj se çfarë kanë shpikur dhe gënjyer”, tha presidenti serb.
Ai tha se do të “insistojnë” që ky rast të zbardhet.
“Nuk ka Beograd. E kush është atje, do ta shohim më vonë”, tha Vuçiq.
“Kemi dyshime të caktuara, hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendojmë se kemi disa informacione se kush mund të jetë autori”, tha ai ndër tjerash.