Live

Zbulohet në Ferizaj depoja për modifikim të armëve, 70-vjeçari shoqërohet në polici

16:35 / 06 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Njësia e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj ka bërë të ditur se ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të lëshuar me kërkesë të Prokurorisë Themelore.

Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit 70-vjeçar në Ferizaj janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej tetë armë të gjata dhe tri pistoleta pa leje, të cilat ishin të vendosura në dhoma të ndryshme të shtëpisë dhe në një depo të improvizuar që përdorej për modifikimin e armëve.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit J.I (M/K) i moshës 70 vjeç në Ferizaj janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 8 armë të gjata dhe 3 pistoleta pa leje, të cilat ishin të vendosura në dhoma të ndryshme të shtëpisë dhe në një depo të improvizuar që përdorej për modifikimin e armëve. Po ashtu, janë gjetur pjesë të ndryshme për armë dhe një sasi e konsiderueshme municioni të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.

Për rastin është njoftuar  prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Fshirja, heqja apo ndryshimi i kundërligjshëm i shenjave në armë të zjarrit apo në municion”.

Policia ka njoftuar se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj për procedura të intervistimit.

Shpërndaje në

U Kopjua