Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka thënë se Kosova është shumë larg një qeverisje me duar të pastërta siç kanë premtuar Vetëvendosje dhe Kurti.
Xhemaili ka thënë se dëshmia e Fahrije Hotit, do të duhej t’ia mbyllte gojën ministrit Peci.
“Sa të dojë le të krekoset Peci për punë të mirë dhe revolucionare që ka bërë në Ministri por dëshmia e sotme Fahrije Hotit ishte dashtë me ja mbyllë gojën dhe me ja vra ndërgjegjen njerëzore. Sa herë flet ky Ministër tash e katër vjet flet se sa fort e ka luftuar keqqeverisjen dhe abuzimin me subvencione e me prona, por si duket lufta e tij ka qenë me i heqë ata përpara tij e me i vendosë përfituesit e vet. Ministri si duket e ka harruar se është Ministër e jo kapo që bën ligj sepse në Kosovë pushtetet janë të ndara dhe të tjerë janë ata që e bëjnë ligjin në Kosovë. Është e paimagjinueshme guximi që kanë marrë zyrtarët e pushtetit në Kosovë. Sulmojnë prokurorinë dhe drejtësinë, jo pse besojnë se ata s’janë në nivel por sepse me veprimet e veta janë bërë subjekt i drejtësisë”, ka thënë Xhemaili.
Ai ka shtuar se kjo qeveri jep subvencione në kohë fushate familjarëve të deputetëve të VV-së.
“Në kohë fushate me ju dhanë subvencione familjarëve të deputetëve dhe miqve të Albinit siç është rasti i Dardan Veliaj, dëshmohet edhe njëherë se Kosova është ende tepër larg nga një Qeverisje me duar të pastërta dhe një Qeveri që Kosovën dhe qytetarët e saj i vendosë në vend të parë”, është shprehur ai.