Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar aleatët e tij perëndimorë, duke veçuar Donald Trumpin, pas samitit në Paris sot.
Në takim ata diskutuan specifikat mbi garancitë e sigurisë dhe “gatishmërinë e secilit vend për të kontribuar”, tha udhëheqësi ukrainas.
Ai u takua gjithashtu me të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff.
Në një deklaratë pas takimit me udhëheqësit evropianë, Zelensky tha: “Ne kemi të njëjtin vizion se Rusia po bën gjithçka që është e mundur për të zvarritur procesin e negociatave dhe për të vazhduar luftën.”
Ai shtoi: “Do të doja veçanërisht të falënderoja Presidentin Trump për të gjitha përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe gatishmërinë e Amerikës për të ofruar mbështetje për Ukrainën nga ana e saj.”
Vlen të përmendet se në shkurt, Trump e qortoi Zelenskyn para mediave botërore në Zyrën Ovale për atë që udhëheqësi amerikan e përshkroi si mungesë mirënjohjeje.
Zelensky tha gjithashtu se paketa e 19-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë është duke u përgatitur. Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, më parë tha se kjo pritet këtë muaj, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.