Live

“Zgjedhje të jashtëzakonshme”, tre skenarët e mundshëm pas vendimit që pritet të marrë Kushtetuesja

19:36 / 04 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka ndarë qëndrimin e tij lidhur me vendimin që pritet të marrë Kushtetuesja më 8 gusht rreth situatës së krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, Kryeziu ka paraqitur tre skenarë të mundshëm, duke theksuar se këto janë vetëm mendime personale dhe se vlera reale i takon vetëm vendimit të përbërjes aktuale të Gjykatës.

Skenari i parë, që sipas tij është më racionali dhe më i mundshmi, parasheh që Gjykata t’i njohë Presidentes së Republikës të drejtën për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeziu argumenton se moskonstituimi i Kuvendit po e pengon formimin e Qeverisë dhe funksionimin e pushtetit politik, çka përbën një krizë institucionale që justifikon këtë hap.

Skenari i dytë, që ai e quan më pak të dëshirueshëm, është ai ku Gjykata vendos të “resetojë” afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke ia kthyer përgjegjësinë prapë legjislaturës aktuale. Kryeziu thotë se një vendim i tillë mund të dëmtojë seriozitetin e Kushtetueses.

Skenari i tretë, që e cilëson si më të keqin, është ai ku e drejta për nominimin e Kryetarit të Kuvendit kalon nga një grup parlamentar te një tjetër. Sipas Kryeziut, kjo do të përbënte ndryshim të rregullave të lojës gjatë procesit dhe do të ishte ligjërisht e papranueshme.

Duke folur për përbërjen aktuale të Kushtetueses, Kryeziu u shpreh me vlerësim për profesionalizmin dhe guximin intelektual të gjyqtarëve, duke thënë se beson se vendimi i tyre do ta nxjerrë vendin nga paqartësia juridike.

Në fund, ai nuk kurseu as një kritikë për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke e konsideruar atë përgjegjës për situatën aktuale dhe duke shprehur keqardhje për heshtjen e tij të dikurshme që, sipas tij, ndihmoi në realizimin e “planeve të errëta”.

Kryeziu tha se pavarësisht vendimit që do të marrë Kushtetuesja, kjo legjislaturë tashmë e ka humbur kredibilitetin dhe se zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të rivendosur besimin e qytetarëve.

Shpërndaje në

U Kopjua