Live

Zgjedhjet lokale, KQZ: Më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e kandidatëve

14:52 / 09 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 13 gusht përfundon afati për aplikimin online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.

Ky afat për aplikim online është hapur që nga data 26 qershor.

“Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online,” thuhet në njoftim.

KQZ-ja ka sqaruar edhe hapat që duhet të ndiqen për aplikim:

“Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.

Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Shpërndaje në

U Kopjua