Situata në fshatin Lefterhor në Delvinë paraqitet serioze, ndërsa zjarri ka djegur edhe kishën e fshatit. Aktualisht vatrat në këtë fshat janë shuar, por banorët i druhen rindezjes së tyre.
Siç raporton Top Channel zjarri vijon të jetë aktiv në mal, dhe sipas banorëve në orët e mbrëmjes i frikësohen flakëve që mund të zbresin sërish drejt fshatit.
Ndërkohë zjarri ka djegur edhe disa koshere bletësh, teksa këto të fundit vërtiten nëpër fshat.
Edhe një banesë është përfshirë nga flakët në këto momente në fshatin Lefterhor të Delvinës.
Banorët po ndërhyjnë për të neutralizuar flakët, teksa thonë se asnjë zjarrfikës nuk ndodhet në zonë.