Live

Artan Grubi reagon për incidentin në Aeroportin e Shkupit: Kosovë, na fal!

08:20 / 02 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka reaguar lidhur me incidentin me të cilin u përballë Presidentja Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.

Grubi ka bërë një reagim, të cilin e ka nisur duke shkruar “Kosovë, na fal!”, shkruan Reporteri.net.

“Nga zot shtëpie në qiraxhi, nga vendimmarrës në vazal, nga krenar në puthadorë, nga dinjitozë në pakurrizor, nga faqebardhë në faqezinjë, nga të ditur në injorant, nga guximtar në frigacak, nga qeverisës në shërbëtorë, nga fitimtar në humbës, nga Europa e Amerika në Rusi e Serbi, nga Ali Ahmeti në Ivan Stoilkoviq!”, ka shkruar tutje Grubi.

Incidenti është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.

“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia Reporteri.net.

Shpërndaje në

U Kopjua