Live

Haradinaj flet pas takimit me Osmanin: Propozova që zgjedhjet të mbahen më 26 janar

15:20 / 31 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 janar 2025.

Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja”, shkroi ai.

Në takimin e thirrur nga presidentja Osmani munguan kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Osmani ka thënë se nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmërinë e tij të marrë pjesë në takimin me krerët e partive politike për të diskutuar datën e mundshme për zgjedhje, mirëpo ai nuk është lejuar të jetë i pranishëm, për shkak se ftesa ishte në nivel të kryetrarëve të partive politike.

Sa i përket mungesës së kryeministrit dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, Osmani është shprehur se nuk i di arsyet.

Ne nuk i dimë arsyet, mund ta pyesni drejtpërdrejt”, ka vijuar ajo.

Ndryshe, Osmani tha se gjatë takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.

Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Shpërndaje në

U Kopjua