Live

KQZ njofton për ndryshimin ligjor: Votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër votimi

16:44 / 01 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime thelbësore edhe për procesin e votimit me kusht.

Ky lloj votimi, sipas KQZ-së, nuk do të bëhet i mundur në çdo Qendër Votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Ky lloj votimi, do të mundësohet vetëm në qendrat e votimit të cilat do t’i caktojë KQZ-ja.

Ky ndryshim i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është prezantuar me anë të një videomesazhi nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime lidhur me votimin me kusht. Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të mundësohet në çdo Qendër Votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ do të caktojë Qendrat për Votim me Kusht. Lista e tyre do të publikohet në ueb faqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, thuhet në videon informuese të prezantuar nga Elezi.

Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i Qendrave të Votimit në 38 komunat e Kosovës ishte 888 Qendra Votimi dhe në secilën prej tyre ishte i mundur votimi me kusht.

Shpërndaje në

U Kopjua