Live

Kurti nesër merr pjesë në drekën e punës të Von der Leyen në Bruksel

16:39 / 18 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Të enjten e 19 shtatorit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të mbledhë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë pjesë e kësaj dreke të Von der Leyen.

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesën në drekën e punës nesër në Bruksel, me ftesë të Presidentes së Komisionit Evropian.

Në agjendën e Von Der Leyen është konfirmuar vetëm data e takimit, por s’janë zbuluar detaje të tjera.

Poashtu në agjendë s’janë zbuluar as kush do të jenë përfaqësuesit e shteteve të ftuar në këtë drekë pune që lidhet me reformat dhe Planin e Rritjes.

Siç raportoi sot në mëngjes, Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, qëllimi kryesor i këtij takimi, është diskutimi i “agjendave të reformës dhe rritjes”, të cilat pothuajse të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar Komisionit Evropian, si parakusht për marrjen e pagesave të para nga Rritja, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Plani për Ballkanin Perëndimor, u miratua nga BE-ja në maj të këtij viti. Von der Leyen ishte i përfshirë personalisht në promovimin e atij plani dhe ai u mbështet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të Këshillit të BE-së.

Sipas raportimit, takimi do të jetë një mundësi e mirë për të parë se deri ku kanë arritur këto vende me përgatitjet për të realizuar qëllimet e Planit të Rritjes. Nëpërmjet Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, BE-ja planifikon të ndajë rreth gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Nga kjo shumë, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formën e kredive favorizuese. Përfitues të këtyre fondeve janë të gjitha vendet e rajonit: Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, BeH dhe Kosova.

Shpërndaje në

U Kopjua