Live

Kurti: Policia e Kosovës, e gatshme të mbrojë territorin edhe me jetë

13:13 / 06 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë Policia e Kosovës është e gatshme ta mbrojë edhe me jetë territoritn e Kosovës, e se sulmet në veri të vendit, gjatë tri viteve të funit, dëshmojnë profesionalizmin pasionin e policëve.

Në 25-vjetorin e themelimit të Policisë, ai ka uruar të gjithë popullin e Kosovës, ndërsa e ka quajtur Policinë, institucionin e parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja. Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit, nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit, dëshmojnë me profesionalizëm dhe pasion arrihen rezultate për sundim të ligjit. Banjska ka risjell në vëmendjen e secilit prej nesh, se pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo çoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë”, ka thënë kreu i qeverisë në ceremoninë e policisë.

Tutje, Kurti u shpreh se Policia e Kosovës krahas mbështetjes së Qeverisë, ajo ka mbështetjen edhe të aleteve të Republikës sonë.

“Që nga fillimi Policia e Kosovës ka pasur mbështetjen e OSBE-së dhe aleatët tanë. Kjo përkrahje, bashkë me angazhimin e vazhdueshëm të gjeneratave të reja, e bëjnë policinë tonë më të fortë, më të përgatitur dhe gjithnjë profesionale për të vendosur rend e për të siguruar sundim ligji. Policia e Kosovës, me plot 60 gjenerata, vazhdon të vlerësohet si institucioni me besueshmëri më të lartë nga qytetarët tanë. Si qeveri kemi ofruar mbështetjen e parezervë për policinë tonë, e besoj që ia kemi dalë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës, gjatë çerek-shekullit të punës së saj, vazhdon të jetë një nga institucionet me të besuara dhe të respektuara të vendit tonë.

Gjatë fjalimit të saj në ceremoninë qendrore për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun dhe 22 policët e tjerë të rënë në detyrë.

Osmani ka thënë se puna dhe trimëria e tyre i frymëzon të gjithë dhe ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe qetësia.

Shpërndaje në

U Kopjua