Live

Qeveria nis kontratat me komunat për banim të përballueshëm e social në fund të mandatit, premtimi i Kurtit ishte ndryshe

14:54 / 17 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Në fund të mandatit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka filluar nënshkrimin e kontratave me komunat për çështjen e banimit të përballueshëm dhe social. Deri tash janë nënshkruar kontratat me pesë komuna, tri prej të cilave udhëhiqen nga VV’ja. Kurti kishte premtuar se banimi i përballueshëm do të mundësohej brenda këtij mandati.

“Një shoqëri është aq e fortë sa hallka e saj më e dobët – e banimi te ne është hallkë bukur e dobët”, deklaronte kryeministri Albin Kurti në prill të vitit 2021, teksa akuzonte qeveritë e kaluara se e kishin lënë pas dore këtë çështje.

Në takimin e komitetit këshillues për studimin e fizibilitetit për programin e banimit social, Kurti premtonte se gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojnë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.

“Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve”, deklaronte Kurti.

Si plan thoshte se i dedikohet çifteve të reja, grave kryefamiljare por edhe shërbyesve publik si arsimtarëve, infermierëve, policëve, zjarrfikësve apo edhe administratës publike.

Tashmë ka filluar nënshkrimi i kontratave mes komunave e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por vështirë se do të fillojë zbatimi në këtë mandat të qeverisë Kurti. Marrë parasysh se janë muajt e fundit, këtë mandat mund të hidhen vetëm gurthemelet.

Një marrëveshje të tillë e ka nënshkruar dje Komuna e Istogut. Paraprakisht, marrëveshje të tilla janë nënshkruar me Komunën e Gjilanit, Podujevës, Pejës e Kamenicës.

Ministri Liburn Aliu ka bërë me dije se edhe mbi 10 komuna të tjera janë në proces të nënshkrimit.

“Qëllimi ynë është të përmbushim një nga nevojat më urgjente të qytetarëve tanë: sigurimin e banimit të përballueshëm në të gjitha komunat”, ka shkruar Aliu.

Para rreth një muaji, Aliu kishte deklaruar se ky projekt do të mund të kryhej brenda një mandati po të ishte gjithçka gati dhe të fillohej direkt me ndërtim.

“Sapo të përfundohet projekti, do të aplikohet për leje ndërtimi në Komunën përkatëse dhe do të hapet tenderi për fillimin e ndërtimit të ndërtesave të banimit social dhe të përballueshëm. Po të ishte gjithçka gati dhe të futej drejtpërdrejtë në ndërtim, natyrisht që do të mund të bëhej edhe brenda një mandati e tërë kjo punë. Por, puna përgatitore ka marrë aq shumë kohë”, ka thënë Aliu.

Gjatë seancës së Kuvendit ku ishte prezantuar Projektligji, Ministri Aliu kishte sqaruar se përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të këtyre banesave, por se përfitojnë vetëm në kohën sa janë kategori sociale.

“Kur flasim për banimin social, janë kategoritë sociale ato që përfitojnë. Banimi social është përherë në pronësi të shtetit dhe menaxhojnë komunat me banimin social dhe monitorohen nga niveli qendror. Varësisht prej kategorive sociale, janë edhe përfituesit e banesave. Përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të banesave sociale, por përfitojnë në periudhën sa janë kategori sociale. Në momentin që ata dalin nga kategoria sociale, ata më nuk mund të jenë përfitues të banimit social”, kishte deklaruar Aliu.

Kishte folur edhe për kategoritë që përfitojnë.

“Janë pesë kategori: Kategoria shumë e varfër, kategoria e varfër dhe e cenueshme, me të hyra të ulëta, me të hyra të ulëta mesatare dhe të hyra mesatare. Kur folëm për shpërndarjen e banimit, janë komunat ato që aplikojnë me lokacione konkrete brenda zonave urbane dhe analizohen marrëdhëniet e këtyre lokacioneve me zonat rreth me infrastukturën që kanë”, kishte thënë Aliu.

Çfarë parashihet me Projektligj?

Sipas Projektligjit, grupet e synuara të banimit social dhe të përballueshëm përfshijnë: familja apo individi me gjendje jo të mirë ekonomike, familjet e mdha me shumë fëmijë dhe familjet me një prind, të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, gratë dhe burrat viktima të luftës, familjet e dëshmorëve, të të zhdurkve të UÇK’së, invalidtët e UÇK’së të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike, invalidët civil të luftës dhe familjet e ngushta të viktimave civile të luftës, zhdukurve, viktimat e trafikimit, të rinjtë, të moshuarit, personat me nevoja të veçanta, refugjatët dhe azilkërkërkuesit, të zhvendosurit, të riatdhesuarit, komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, fëmijët bonjakë apo pa përkujdesje prindërore pasi dalin nga shtëpitë e strehimit të fëmijëve dhe kategori të tjera të përcaktuara sipas legjislacionit.

“Banimi social konsiderohet i përballueshëm nëse familja apo individi nuk shpenzon më shumë se tridhjetë për qind (30%) të të ardhurat mujore neto për banim”, parashihet me paragrafin 1 të Nenit 6.

Në paragrafin 3 thuhet se në shpenzimet e banimit nuk përfshihen shpenzimet për shërbime të furnizimit me ujë, energji elektrike, dhe shërbimet tjera bazë.

Me Nenin 7 parashihen kriteret e përfitimit:

Të drejtë për të përfituar nga programet e banimit social ka familja apo individi, që:

1.1. Është me shtetësi të Republikës së Kosovës, apo është me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës;

1.2. Nuk ka në pronësi apo në posedim njësi banimi, shtëpi individuale apo tjetër që i plotëson kushtet minimale të të jetuarit, bazuar në standardet dhe normat e ndërtimit dhe banimit të përcaktuara me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës;

1.3. Ka mbetur ose rrezikon të mbetet pa e zgjidhur çështjen e banimit si rezultat i një

(1) ose më shumë faktorëve në vijim:

1.3.1. dëmtimit së ndërtesës që nuk I plotësojnë kushtet për të qenë njësi

banimi;

1.3.2. rrezikut të shkatërrimit për shkak të vjetërisë së saj;

1.3.3. zhvendosjes për shkak të investimeve publike apo për shkak të prishjes së ndërtesës që nuk i plotëson kushtet për t’u legalizuar;

1.3.4. pamundësisë së pagesës së qirasë me kushtet e tregut;

1.3.5. familje apo individ pa përkujdesje;

1.3.6. fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të shkaktuara nga njeriu;

1.3.7. dëmtimit të shtëpisë individuale, njësisë së banimit gjatë luftës së vitit 1998/1999;

1.3.8. të ardhurat e familjes apo individit, janë të pamjaftueshme për të përballuar koston e banimit sipas kritereve të caktuara në nenin 5, paragrafi 2, të këtij ligji; dhe

1.3.9. familja apo individi i plotëson kriteret tjera për të përfituar nga ndonjëri prej programeve të banimit social, sipas thirrjes publike dhe kritereve të këtij ligji dhe;

1.3.10. rrethanave tjera të cilat komuna i konsiderojnë relevante në kontekstin lokal.

2. Komuna ofron mundësinë që familja apo individi të cilët nuk kualifikohen si përfitues në njërin program të banimit të kenë mundësi për të përfituar në një (1) program tjetër të banimit, kur plotësojnë kushtet ligjore.

3. Familja apo individi nuk mund të përfitojë njëkohësisht nga më shumë se një (1) program i banimit social apo të përballueshëm në të njëjtën kohë.

4. Radha e përparësisë vendoset në çdo thirrje publike, ndërsa kriteret për përcaktimin e radhës së përparësisë për të përfituar bazohen në këtë ligj dhe aktet nënligjore për zbatimin e tij.

Shpërndaje në

U Kopjua