Live

Qysh foli para organëve kosovare njëri nga të arrestuarit e Banjskës, çka tha për “shokët” e tij?

18:31 / 11 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, që e ka siguruar Gazeta Nacionale, vërehet se të arrestuarit e grupit të Radojiçiq, folën para policisë, madje edhe dhanë informata për “shokët” e tyre.

Blagoje Spasojevic ishte njëri nga ta. Fillimisht aty shpjegohet se si u arrestua i pandehuri.

“Sa i përket të pandehurit Blagoje Spasojevic, i njëjti është arrestuar në vendin e ngjarjes, i armatosur rëndë, me uniformë të kamufluar ushtarake dhe këtë e dëshmon më së miri Raporti informues, në të cilin përshkruhet nga zyrtari policor, momenti i arrestimit të tij, se nga ora 14:00 e datës 24.09.2023, derisa ishin duke zhvilluar operacionin policor përgjatë rrugës e cila shpie në fshatin Banjskë, rreth orës 14:55 kishin hasur në të pandehurin (të kthyer në krahë) jo larg rrugës, i pandehuri Spasojevic kishte të veshur uniformë të gjelbër, jelek antiplumb, një armë zjarri AK-47 dhe municion rezervë (pesë karikator të mbushur me municion), i njëjti është prangosur, duke ia larguar me kujdes armën e zjarrit nga trupi (të cilën e kishte në dorë, rafalle të gatshme për shkrepje me fishek në tytë)” – thuhet aty.

Pastaj, në aktakuzë vërehet se i pandehuri para organëve të Kosovës ka treguar edhe për “shokët” e tij.

“I pandehuri Blagoje Spasojevic pas arrestimit, në të njejtën datë 24.09.2023, në Stacionin Policor të Mitrovicës, në prezencë të mbrojtësit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është marrë në pyetje të cilësi të dyshuarit i cili ka deklaruar se më datë 23.09.2023 ka qenë në Rashkë të Republikës së Serbisë, ku ka përshkruar se si personat e grupit të armatosur janë takuar në mënyrë të organizuar, dhe me disa vetura pa targa kanë vazhduar hyrjen në Kosovë nga drejtimi i Serbisë në pikë kalimin e Izvorit të Komunës së Zveçanit. Udhëtimi i tyre ka zgjatur rreth 3 orë, dhe kanë arritur rreth orës 02:30 në fshatin Banjskë, Zveçan. Ky i dyshuar tregon se si ishin furnizuar me armatim si dhe përshkruan disa nga të pandehurit e tjerë në këtë sulm si: Nemanja Stankovic, Momcillo Vuckovic, Stefan Radojkovic, Marko Arsic, Marjan Radojevic, Marko Vukotic (për më shumë shih deklaratën më lartë tek pjesa deklaratat e të pandehurve). I pandehuri ka deklaruar gjithashtu, se ka qenë në veturën Jeep, pa targa, ngjyre e zezë së bashku me Nemanja Stankovic dhe Momcillo Vuckovic.” – thuhet në aktakuzë.

Shpërndaje në

U Kopjua