Live

Sot nis viti i ri shkollor, mësim gjithë-ditor në pesë shkolla të Prishtinës

08:42 / 02 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Sot, fillon zyrtarisht viti i ri shkollor 2024/2025 në Kosovë. Me këtë rast, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të vizitojë dy shkolla në Prishtinë për të uruar nxënësit dhe stafin mësimor për një fillim të mbarë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, vizita e parë e ministres Nagavci do të realizohet në shkollën fillore “Iliria” në ora 10:00, ndërsa më pas ajo do të vazhdojë në shkollën “Elena Gjika” në ora 11:00.

Ky vit i ri shkollor sjell edhe disa ndryshime në kurrikulën mësimore, me shtimin e lëndëve të reja që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.

Mësimi nuk do të kufizohet vetëm në libra dhe në teori. Do të ketë aktivitete praktike, lojëra edukative, rekreacion e kulturë.

Këto ndryshime do të zbatohen në vitin e ri shkollor 2024/2025 në ciklin e ulët në pesë shkolla fillore publike në Prishtinë.

Me vendim të komunës së kryeqytetit, mësimi gjithë-ditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën.

Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.

Shpërndaje në

U Kopjua