Live

Zyrtarisht hiqen vizat për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

17:00 / 18 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Në Strasburg është nënshkruar dekreti për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia

Në Strasburg, gjatë ditës së sotme, është nënshkruar dekreti për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia.

Siç raporton mediumi serb “Tanjug”, dekreti u firmos nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metzola, dhe ministri i Çështjeve Evropiane të Hungarisë, Janos Boka, përfaqësues i vendit që kryeson Këshillin e BE-së.

Ndërkaq, kujtojmë se më 22 korrik Këshilli Evropian mori vendim për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga e ashtuquajtura “Drejtoria koordinuese” në Beograd.

Megjithatë, ky zhvillim kishte nxitur reagime nga Qeveria e Kosovës, e cila ka deklaruar se pasaportat e serbëve të Kosovës të lëshuara nga autoritetet serbe janë të pavlefshme dhe ilegale për Kosovën.

“Ato pasaporta do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Kosovës. Ndaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Shpërndaje në

U Kopjua