Sonte do të luhet xhiroja e fundit e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
36 skuadrat pjesëmarrëse me objektiva të ndryshëm do të mundohen të sjellin emocione në 18 ndeshjet e sontme.
Liverpooli dhe Barcelona janë bërë dy ekipet e para që kanë kaluar direkt në të tetën e finales së Championsit, ndërsa sonte do t’i mësojmë edhe emrat e gjashtë ekipeve të tjera që do ta kompletojnë “Top 8”, i cili çon direkt në fazën tjetër.
“Reds” janë ekipi i vetëm me seri perfekte prej 7 fitoresh nga po aq ndeshje, kurse gjiganti katalunas i ka 6 fitore e një humbje, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkohë, skuadrat që mund të përfundojnë në të tetën e finales ose në fazën e “play-off” janë edhe: Arsenal, Aston Villa, Atalanta, Atleti, Bayern, Brest, Celtic, Dortmund, Feyenoord, Inter, Juventus, Leverkusen, Lille, Milan, Monaco e Real Madridi.
Për momentin, asnjë ekip nuk është i konfirmuar për fazën e “play-off”-it.
Ndërkohë, skuadrat që janë eliminuar tashmë nga Championsi janë Bologna, Crvena Zvezda, Girona, Leipzig, Salzburg, Slovan Bratislava, Sparta Praha, Sturm Graz e Young Boys.
Kjo është hera e parë që Liga e Kampionëve po luhet në sistem të ligës.
Tetë ekipet e para do të avancojnë direkt në të tetën e finales.
Ndërsa, ekipet që do të përfundojnë nga vendi i nëntë në atë të 24-t do të luajnë në fazën e “play-offit”, me fituesit që do të luajnë në të tetën e finales.
18 ndeshjet e sontme do të nisin prej orës 21:00.
Faza e “play-offit” do të luhet më 11 e 12 shkurt ndeshjet e para dhe më 18 e 19 shkurt ato të kthimit.
E teta e finales do të luhet më 4-5 mars lojtë e para dhe ato të kthimit më 11 e 12 mars.
Çerekfinalet e para do të zhvillohen më 8 e 9 prill, ndërsa ato të dytat më 15 e 16 prill.
Gjysmëfinalet do të zënë vend më 29 e 30 prill ndeshjet e para dhe më 6 e 7 maj ato të kthimit.
Kurse, finalja e këtij edicioni në Champions do të luhet më 31 maj.