Joel Le Scouarnec, ish-kirurgu i cili ka pranuar abuzimin seksual me qindra pacientë, kryesisht fëmijë, midis viteve 1989 dhe 2014, është dënuar me 20 vjet burgim.
Le Scournec ishte veshur me të zeza ndërsa qëndronte pa emocione në gjykatë duke dëgjuar gjyqtaren Aude Burési të jepte vendimin. Ai i kishte pranuar akuzat në mars.
Gjyqtarja Burési tha se gjykata kishte marrë parasysh faktin se ish-kirurgu kishte kërkuar veçanërisht viktima të sëmura dhe të cenueshme.
Le Scournec, 74 vjeç ndodhet tashmë në burg pasi u dënua në vitin 2020 me 15 vjet për përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj katër fëmijëve, përfshirë dy nga mbesat e tij, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në mars, gjatë një seance të mbajtur me dyer të mbyllura, Le Scouarnec pranoi se kishte abuzuar seksualisht me të 299 viktimat, shumë prej tyre ndërsa ishin nën anestezion ose zgjoheshin pas operacioneve.