Live

26 vjet liri, Osmani: Historia e shkruar me gjak s’mund të ndryshohet – Kosova e përjetshme

09:40 / 12 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Në 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar këtë ditë historike duke nderuar sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, që sollën fundin e një epoke të dhunës dhe shtypjes.

Në një postim në rrjetet sociale, shefja e shtetit thotë se më 12 qershor 1999, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa, ndërsa 50 mijë trupa të NATO-s hynë në vend për të ndalur krimet dhe për të kthyer popullin e dëbuar në shtëpitë e tyre.

“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet,” u shpreh Osmani.

Ajo vuri në dukje se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ta ndryshuar historinë, e vërteta historike nuk mund të deformohet.

“Një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps,” theksoi Osmani.

Duke përmbyllur mesazhin e saj, presidentja u zotua për vazhdimin e rrugës drejt forcimit të shtetit të lirë dhe demokratik, duke nderuar dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua