Live

Kjo është arsyeja pse Turqia ka pritur me dekada anëtarësimin në Bashkimin Evropian

16:29 / 14 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Turqia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në vitin 1987, por negociatat nuk u finalizuan kurrë.

Në dhjetë vitet e fundit, negociatat e anëtarësimit kanë ngecur për arsye kryesisht politike.

Marrëdhëniet BE-Turqi u vendosën në vitin 1959. Edhe pse zyrtarisht nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, Turqia është një nga partnerët kryesor të BE-së.

Në tetor të vitit 2005, BE-ja ndërmori një hap të madh drejt zgjerimit kur hapi negociatat e pranimit në BE për Turqinë dhe Kroacinë. Kroacia u pranua në vitin 2013, ndërsa Turqia është ende në pritje.

Negociatat kanë të bëjnë me miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së, të njohur si “acquis”. Acquis përbëhet nga afërsisht 130,000 faqe dokumente ligjore të grupuara në 35 kapituj dhe formon rregullat që shtetet anëtare të BE-së duhet të ndjekin.

Si vend kandidat, Turqia ishte e detyruar të përshtaste një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit të saj kombëtar në përputhje me ligjet e BE-së. Kjo do të thotë ndryshime thelbësore për shoqërinë. Ato ligje do të preknin pothuajse të gjithë sektorët e vendit, nga mjedisi te gjyqësori, nga transporti te bujqësia.

Në vitin 2017, zyrtarët e BE-së shprehën mendimin se politika e Turqisë shkel kriteret e Kopenhagës për përmbushjen e kërkesave për anëtarësim në BE. Në qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së bëri një koment negativ lidhur me të ardhmen e anëtarësimit të Turqisë në BE.

Negociatat e anëtarësimit të Turqisë ngecën pasi Këshilli Evropian zbuloi se vendi po shkonte drejt sundimit autokratik dhe nuk po bënte përparim në përafrimin e rregullave të saj me ato të BE-së.

Çështja të cilën Turqia e kundërshton është ajo e Qipros, marrëdhëniet me Greqinë, por edhe gjendja në fushën e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Turqisë iu kërkua edhe njohja e gjenocidit në Armeni dhe shfuqizimi i “nenit 301”, pra delikti verbal. Kundërshtari më i madh i pranimit të Turqisë në BE ishte Franca. Ish-presidenti Nicolas Sarkozy dikur tha se Turqia është “shumë e madhe, shumë e varfër dhe shumë e ndryshme kulturalisht” për t’u bashkuar me BE-në.

Gjithashtu një nga problemet më të mëdha për Turqinë është pabarazia në shkëmbimin ekonomik me BE-në. Dhe ndërsa vendet e BE-së janë partneri kryesor për Turqinë përsa i përket eksporteve, në rastin e importeve janë ende Rusia, Kina dhe Irani.

Përveç Turqisë, janë edhe shtatë vende të tjera që janë kandidate për anëtarësim në BE: Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Moldavia, ndërsa nga nesër do të jetë edhe Bosnja dhe Hercegovina.

Ndërkaq, Kosova sot nënshkroi aplikimin për anëtarësim në BE.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...