Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, në konferencën vjetore të mbajtur të premten, ka prezantuar sfidat dhe sukseset, të cilat e kanë përcjellë këtë gjykatë gjatë vitit 2022.
Ai ka numëruar si sfidë mungesën e burimeve njerëzore, lëvizjet e vazhdueshme të stafit, kurse si sukses ka përmendur rritjen e transparencës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Viti 2022 për Gjykatën e Apelit ishte një vit me shumë sfida dhe vështirësi, duke filluar nga mungesat e burimeve njerëzore, kushteve joadekuate të punës, lëvizjet e stafit, si dhe fillimit të shpërndarjes së lëndëve përmes Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve – SMIL, gjë që ka paraqitur vështirësi në punën e gjyqtarëve, por edhe të stafit tjetër të kësaj gjykate. Megjithatë, pavarësisht sfidave të lartcekura me të cilat është përballur Gjykata e Apelit, e njëjta vitin 2022, ka arritur ta përmbyllë në mënyrë të suksesshme si në kuptimin efikasitetit, llogaridhënies por edhe të transparencës së punës në këtë gjykatë”, tha kryetari Totaj.
Tutje, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2022 kryetari Totaj, në mesin e të arriturave ka theksuar se janë shtuar 13 gjyqtarë, dy bashkëpunëtorë profesional, pastaj është bërë verifikimi dhe barazimi i lëndëve në SMIL me lëndët që gjendeshin në zyrat e gjyqtarëve.
Gjithashtu, si sukses kryetari Totaj përmendi edhe publikimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve në ueb-faqen e kësaj gjykate dhe po ashtu edhe publikimin e vendimeve të kryetarit të gjykatës për masat disiplinore.
Kryetari Totaj, renditi edhe objektivat përgjatë vitit 2023, ku tha se si objektiv mbetet zvogëlimi i lëndëve të papërfunduara që gjithsej sipas Totaj në gjykatë janë edhe 15 mijë e 382 lëndë në punë, pastaj rritjen e cilësisë dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore.
Totaj theksoi se udhëzuesi i nxjerrë nga Gjykata Supreme lidhur me politikën ndëshkimore nuk po gjen zbatim lidhur me ashpërsimin dhe zbutjen e dënimeve.
“Me iniciativën e kryetarit të Gjykatës Supreme si gjykatë e cila ka sponsorizu udhëzuesin për politikë ndëshkimore, ky udhëzues nuk po mundet me gjet zbatimin e kënaqshëm në nivel të pritshmërive që e kemi pas si menaxherë të gjykatave, andaj si Këshill Gjyqësor tash në bazë të disa statistikave që ia dhashë në disa raste këto ose 50 për qind të rasteve janë ashpërsu dënimet nga ana e Apelit, po 50 për qind të rasteve janë çështje edhe ku janë zbutur këto dënime. Pra, me njëfarë mënyre është çështje e politikës dhe them të vendosjes së secilit kolegj dhe ndikimi i menaxherit dhe kryetarit në këto raste është i pamundur”, deklaroi Totaj.
Në fund, kryetari Totaj, foli edhe për çështjen e rigjykimeve duke thënë se në Departamentin e Krimeve të Rënda por edhe në departamentet tjera kemi të shprehur dukurinë e çështjes së kthimit të lëndëve në rivendosje.
“Kjo është një çështje e cila nuk e përcjellë vetëm Departamentin e Krimeve të Rënda pak a shumë është e njëjta gjë edhe në departamentet tjera ose të themi edhe në departamente tjera si Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Civil me numrin më të madh të lëndëve dhe ndoshta edhe si menaxhment jena më shumë të fokusum ku edhe aty është problematika kryesore, po për dallim prej lëmisë civile për formë të rivendosjes lënda dy herë mundet me u kthy në rivendosje pra te vendosja meritore në rigjykim te çështjet penale nuk jam penalist dhe për nga gjykimi i çështjeve jam civilist, por në Penale nuk kanë kufizim për kthim të lëndës në rivendosje, është çështje e vlerësimit të kolegjit kur për shkeljet procedurale patjetër lënda duhet të kthehet në rivendosje po mbi bazën e këtyre statistikave që i thash pa u lëshu në raste të veçanta nuk është ndonjë shumë apo si me thanë një nivel shumë i madh i lëndëve në rivendosje”, tha Totaj.