Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komenutuar versionin e propozuar nga Fondacioni gjerman Friederich-Elbert-Stiftung në lidhje me Asociacionin, propozim që u prezantua ditën e djeshme të 30 janarit.
Sipas tij, me këtë draft-Statut, komunat anëtare shndërrohen një agjenci e Serbisë në territorin e Kosovës. Ka edhe disa çështje të tjera, të cilat ai i ka detektuar si problematike në dokumentin e publikuar dje.
Enver Hasani, në një intervistë për Gazetën Express tha se nuk ka mëdyshje që Asociacioni duhet të formohet, prej kur ai ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, sipas tij, problemi qëndron te përmbajtja, pasi edhe më tutje, nuk bëhet e qartë se si do të jetë ai.
“Asnjëherë nuk ka pasur dilema nëse duhet të formohet Asociacioni komunave me shumicë serbe, që nga dita kur është ratifikuar Marrëveshja e vitit 2013 dhe kur Gjykata Kushtetuese dy vite më pas ka dhënë verdiktin e saj, duke e kthyer këtë në një detyrim kushtetues. Problemi ka qenë dhe është përmbajtja: çfarë Asociacioni duhet të jetë ai, meqë Marrëveshja e vitit 2013 nuk e bën të qartë këtë”, ka thënë Hasani.
Hasani thotë se propozimi nga FES-i më shumë krijon shqetësime, sesa lehtësime për pjesën skeptike për Asociacionin.
“Unë dje kam lexuar me vëmendje draftin e këtij Statuti, kam ndëgjuar edhe mbrojtjen e tij publike nga akterë relevant të tij. Mendoj se prezantimi i tij dhe vetë draftimi më shumë kanë shkaktuar problem dhe ankth te popullsia shumicë, sesa ndonjë lehtësim”, ka thënë ai.
Sipas proferorit, në Draft-Statutin flitet për një entitet që ka kapacitet autonom për vendimmarrje në sferat, kompetencat e të cilave, në shumicë, i takojnë autoriteteve qëndrore të vendit.
“Kjo për faktin se dispozitat e tij flasin për një entitet juridik nga e drejta publike, që posedon kapacitet të plotë dhe autonom për vendimmarrje të pavarur në sferat që paraqiten si sferë e fushëveprimit të tij në të ardhmen. Ato sfera përfshijnë, në një pjesë të madhe, kompetenca e autorizime që iu takojnë autoriteteve qendrore”. -tha Hasani.