Live

Maliqi rendit 4 parimet mbi të cilat duhet të themelohet Asociacioni

18:18 / 01 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Agon Maliqi nga shoqëria civile ka shpalosur në profilin e tij në Facebook qëndrimin që e ka mbajtur lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në takimin e thirrur të martën nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ai ka thënë se perspektiva e tij mbi këtë çështje vjen nga ajo pjesë e shoqërisë civile e cila punon në fushën e të drejtave demokratike, që dëshiron të shohë paqe dhe bashkëpunim në rajon, si dhe ta shohë perspektivën Euro-Atlantike të Kosovës të zhbllokuar.

Sipas tij, Asociacioni është një detyrim ligjor ndërkombëtar dhe vendor të cilin Kosova duhet ta fillojë ta përmbushë.

“Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ky është një detyrim të cilin Kosova e ka ndërmarrë në kushtet e disa supozimeve dhe garancive politike nga ana e partnerëve të Kosovës se pozita ndërkombëtare e Kosovës do të zhbllokohet. Prandaj këto dy detyrime (njëri i Kosovës, tjetri i aleatëve) janë të ndërvarura, nuk mund të ndahen prej njëri-tjetrit dhe do ta zhbllokonin njëri-tjetrin”, ka shkruar ai.

Maliqi ka shkruar se çdo gjë të cilën Kosova e ka nënshkruar deri më sot nuk e detyron atë që të bëjë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e saj, ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e vitit 2015 dhe siç është vërtetuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ka shkruar tutje se nëse në mes të Kosovës dhe partnerëve ka pajtueshmëri të dyanshme mbi këto dy të vërteta – dhe ky duket të jetë rasti – atëherë Kosova gjithsesi nuk duhet të ketë frikë që ta nis procesin e themelimit të Asociacionit dhe t’i zhbëjë disa prej miteve politike të ndërlidhura me të.

Sipas tij, Asociacioni do të duhej të ishte i pranueshëm nëse i përmbush katër parime.

Ka thënë se parimi i parë është se ky nuk mund të jetë një nivel i ri i pushtetit ekzekutiv, por vetëm lehtësues dhe mbështetës i funksioneve ekzistuese komunale dhe qendrore.

“Shërbimet e të cilat sot për sot funksionojnë në mënyrë joformale si shëndetësia dhe arsimi do të duhej të integroheshin në kornizat ekzistuese komunale dhe qendrore. Shërbimet e tjera si përfitimet sociale apo pensionet, Serbia do të ishte e lirë t’ua jepte qytetarëve të vet duke qenë se serbët kanë dyshtetësi. Asociacioni mund të ketë liri t’i zbatojë aktivitetet e saja në sektorët ‘e butë’ si kultura apo puna humanitare, por nuk duhet të ketë kurrfarë fuqish mbi sektorët ‘e rëndë’ si siguria”, ka shkruar ai.

Sipas tij, parimi i dytë është se Asociacioni duhet t’i reflektojë premisat shumetnike dhe unitare të shtetit që ekzistojnë në nivel qendror.

Ka thënë se statuti i Asociacionit duhet t’i zbatojë të njëjtat rregulla që ekzistojnë në nivelin qendror në Kushtetutë për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë.

“Për shembull, strukturat e Asociacionit (përfshi ato vendimmarrëse) duhet të kenë përfaqësim të garantuar për komunitetet joshumicë nga këto komuna, ndërsa në vendimmarrjen mbi çështjet e interesit vital do të duhej të kishte nevojë për shumicë të dyfishtë (2/3) të komuniteteve joshumicë që jetojnë në këto komuna”, ka thënë ajo.

Maliqi ka thënë se parimi i tretë është se Asociacioni nuk duhet të jetë teritorialisht i koncentruar në veri por duhet të jetë i shtrirë në gjithë Kosovën.

“Kjo do të prodhonte balancë thelbësore mes qeverisjes lokale dhe natyrës unitare të shtetit, ndërkohë që do t’i shërbente para së gjithash interesave të të gjithë serbëve të Kosovës dhe jo Beogradit”, ka thënë ai.

Sipas tij, parimi i katërt është se qëndrueshmëria e Asociacionit varet nga fryma e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Për këtë arsye, duhet të lejohet një nivel i njëjtë i bashkëpunimit komunal dhe i lehtësimit të shërbimeve mes Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, veçanërisht në fusha si arsimi, kultura dhe ekonomia”, ka shtuar ai.

Maliqi ka thënë se nëse këto parime nuk përmbushen – pra, nëse Asociacioni parashihet si nivel i ri i qeverisjes, siç po kërkojnë disa nga Lista Serbe, nëse ai nuk i reflekton parimet e njëjta multietnike si ato të Kushtetutës. Ka shtuar se nëse ai është i koncentruar në veri dhe nëse nuk ka respekt të ndërsjellët për të drejtat e pakicave në rajon, atëherë Kosova do të përballet me një situatë ku do të krijohet nevoja për një parim të pestë.

“Ekziston një përshtypje në Kosovë se Asociacioni do të bëhet një Republika Srpska. Ajo që rrezikon ta prodhojë një Republika Srpska në Kosovë nuk janë fuqitë e Asociacionit si të tilla, sa është kombinimi i tyre me të drejtat që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit. Ky i fundit u ofroi serbëve të Kosovës të drejtë të vetos mbi shumicën e popullsisë dhe njëkohësisht nivel të lartë të decentralizimit komunal. Nëse kësaj i shtohet edhe një nivel i ri i qeverisjes, kjo do të thoshte se pakica serbe në Kosovë edhe do të jetonte krejtësisht e pavarur, edhe do të kishte fuqi vetoje mbi shumicën! Ky nuk është vetëm një dizajn racist i shtetit, por do ta prodhonte një shtet jofunksional, do t’i bënte marrëdhëniet ndëretnike edhe më toksike, si dhe do ta destabilizonte paqen në rajon edhe më shumë”, ka thënë ai.

Sipas tij, çfarëdo lloj kërkese drejtuar Kosovës për ta tejkaluar Kushtetutën dhe parimet e përmendura këtu, do të nënkuptonte pranim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare se modeli Ahtisarian i zgjidhjes së të drejtave të pakicave ka dështuar.

“Gjë që më sjell të parimi i pestë. Nëse serbët e Kosovës kërkojnë model të segregimit etnik dhe vetëqeverisjes, atëherë kjo ia jep Kosovës të drejtën për të kërkuar ndryshime në të drejtat që i kanë komunitetet jo-shumicë në nivelin qendror – gjegjësisht, heqjen e fuqisë së vetos së pakicave, përfaqësimit të garantuar në nivelin qendror, por edhe natyrën e përgjithshme multietnike të shtetit (simbolet, dygjuhësinë, etj.) Kjo rrugë na çon drejt një mënyrë krejt tjetër të zgjidhjes së të drejtave të pakicave dhe një modeli të ri të shtetit, me gjithë implikimet e tjera që i sjell kjo. Prandaj, ndoshta është një rrugë që më mirë duhet shmangur”, ka thënë ai.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...