Këshilltare Politike e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, ka thënë se është për keqardhje që emisari për dialog, Miroslav Lajçak, nuk ka takuar akoma shqiptarët në Serbi.
Ajo madje thotë se qasja e tij mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane” ka thënë mes të tjerahs Sinani.
Ky është reagimi i plotë i saj:
Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.
I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit e listës serbe, të komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.
Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi.
Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.
Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm.
Përfshirja e të zgjedhurëve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku.