Kandidati për kryeministër të Kosovës, Bedi Hamza, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen. Në një postim në rrjetet sociale, Hamza theksoi se Finlanda është një mike e ngushtë e Kosovës dhe një përkrahëse e fuqishme e integrimit euroatlantik të vendit.
Gjatë takimit, biseda u fokusua në zhvillimet politike në vend, rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rëndësinë e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Hamza nënvizoi se Kosova, përmes një partneriteti konstruktiv dhe me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, ka përballuar dhe tejkaluar sfidat e saj të deritanishme.
“Ditën e sotme e nisa me një takim me Ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen. Finlanda është një mike e Kosovës dhe një përkrahëse e madhe e integrimit tonë euroatlantik. Ne biseduam për zhvillimet politike në vend, për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Kosova, të gjitha sfidat e deritashme, duke u bërë partnere konstruktive, i ka përballuar dhe i ka tejkaluar me përkrahjen e aleatëve!”, ka shkruar Hamza.