Thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, u mirëpritën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive, por nuk u komentuan fare nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, tha para gazetarëve se një veprim i tillë do të ishte antikushtetues.
Anëtarja e kabinetit të Kurtit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Vuçiq, me kërkesat e tij, synon të vazhdojë “instrumentalizimin e serbëve” të Kosovës.
Pse serbët i braktisën institucionet dhe çka kërkoi Vuçiq?
Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.
Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.
Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.
Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.
Në një adresim më 13 shtator në Beograd, presidenti i Serbisë, Vuçiq, parashtroi disa kërkesa për Kosovën – mes tjerash: kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre, si dhe shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veri.
Ndryshe, popullata serbe në veri të Kosovës – e dirigjuar nga Serbia dhe strukturat e saj paralele në vend – vështirë u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës.
Për pasojë, zona shndërrohet shpesh në vatër tensionesh.