Live

LVV-ja pret në një takim delegacionin nga zyra e BE-së, biseduan rreth zgjedhjeve të ardhshme si edhe për sigurinë në veri

13:40 / 17 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Lëvizja Vetëvendosje ka berë të ditur se kanë pritur në një takim delegacionin nga Zyra e Bashkimit Evropian sot në Prishtinë.

Temë diskutimi ishin zgjedhjet qendrore që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm.

LVV-ja përmes një njoftimi theksoi se është theksuar fakti që ky proces zgjedhor do të jetë i pari pasi që një qeveri përfundon mandatin e rregullt të saj katërvjeçar, përcjell Kosovalive.net.

Njoftimi i plotë:

Sot në zyrën qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sekretari organizativ Alim Rama, nënkryetarja e dytë Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mrika Limani-Myrtaj, koordinatorja e sekretariateve, Albana Gashi, Filiz Mustafa nga koordinimi me qendra dhe Alma Haxhija nga zyra ligjore, kanë pritur në një takim delegacionin nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Temë e këtij takimi ishte çështja e zgjedhjeve qendrore që do të mbahen në shkurtin e vitit të ardhshëm, me ç’rast është bashkëbiseduar për hapat përgatitorë, situatën e përgjithshme, si dhe fushatën zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Është theksuar fakti që ky proces zgjedhor do të jetë i pari pasi që një qeveri përfundon mandatin e rregullt të saj katërvjeçar. Temë shoqëruese e diskutimeve padyshim që ka qenë dhe ligji i ri i zgjedhjeve me theks të veçantë votimi i mërgatës, që këtë herë mundësohet edhe në vendet ku ata jetojnë.

Po ashtu, u diskutua situata e sigurisë në pjesën veriore të Republikës, ku u potencua fakti që për herë të parë qytetarët mund të votojnë të lirë dhe pa presion nga bandat kriminale, falë ndryshimit të shtrirjes së rendit dhe ligjit nga ana e qeverisë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme për proceset zgjedhore, e mirëstrukturuar dhe e bindur drejt rezultateve pozitive që më shumë se secilit iu shërbejnë qytetarëve

Shpërndaje në

U Kopjua