Live

Krasniqi: Qeveria do të ndërtojë edhe 102 shtëpi të reja deri në fund të vitit në veri

17:38 / 17 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se deri në fund të këtij viti, pritet të ndërtohen edhe 102 shtëpi të reja, nga programet e Qeverisë.

Gjatë një prononcimi të shkurtër për media të mbajtur në veri, ku një shtëpie i është vënë zjarri, Krasniqi ka deklaruar se këto janë elemente nxitëse nga propaganda e presidentit serb, Aleksandar Vuciq, raporton gazeta online Reporteri.net.

“Janë mbi 50 shtëpi që tashmë kanë përfunduar nga dy programet e Qeverisë, tani Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar një proces të ri për ndërtimin e mbi 102 shtëpive të reja dhe jam e bindur që deri në fund të vitit që të gjitha do të ndërtohen. Sigurisht që këto janë elemente nxitëse nga propaganda e Vuçiqit dhe mbetjes së tij këtu në veri të vendit. Por, këto mbetje edhe të Vuçiqit edhe të Serbisë dhe grupeve kriminale nuk kanë vend në Kosovë”, ka thënë ai.

Tutje, ministri ka vlerësuar që kjo s’është hera e parë që po tentohet të pengohet procesi i ndërtimit të shtëpive për qytetarët që duan të kthehen në veri.

“Por, ato do të ndërtohen sa herë të ketë nevojë”.

Sot, Krasniqi ka njoftuar se një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria në veri, i është vënë zjarri.

Ai ka thënë se rasti ka ndodhur pak pas mesnate, megjithatë asnjë person s’është lënduar si pasojë e zjarrit.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua