Live

‘Nuk u rrëzua’, ‘veç pjesërisht’: Haxhiu gënjen publikisht për dështimin e Ligjit për Byronë

19:06 / 18 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një intervistë në RTKnë mëyrë krejt të pabesueshme gënjeu qytetarët, duke thënë se Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme nuk u rrëzua tërësisht.“Gjykata Kushtetuese nuk e ka rrëzuar, nuk ka thënë që i gjith Ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, por e ka shpall të pavlefshme për shkak të disa neneve. 4 nene të cilat kanë qenë për neve, nuk kanë qenë fare problematike për neve.” – ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se ligji shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij. “të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme” – thuhet në aktgjykim.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e ka në diskrecionin e saj që ligjet e kontestuara, nëse i rrëzon; t’i rrëzoj pjesërisht, pra nene të caktuara të ligjit ose t’i rrëzoj tërësisht.

Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme është rrëzuar tërësisht dhe jo siç ka pretenduar ministrja Haxhiu.

Informimi i zhdrejt i Vetëvendosjes për ligjin më të rëndësishëm të reformës në drejtësi

Reforma në drejtësi kishte qenë projekti kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin që e fituan bindshëm. Në këtë reformë parashiheshin një sërë ligjesh, që thuhej se do ta reformonin sistemin e drejtësisë. Pa dyshim, interesin kryesor të publikut e kishte fituar Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikuar. Ky projektligj u shkrua gabimishit, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ministrja e Drejtësisë “e pranoi” se duhet të rishkruhet, sipas udhëzimeve të Kushtetueses. U miratuar sërish në mbledhje të qeverisë të mërkurën që shkoi, prapë pa konsultimet e nevojshme, si dhe u “avullua” aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Çka ndodhi?

Lëvizja Vetëvendosje në profilin e saj zyrtar, fillimisht, triumfalisht javën që shkoi, “E vonuan Byronë por nuk do të mund ta ndalin. Ajo do të bëhet!”.

Në një tabelë (jo të plotë) ata paraqiten “rrugën” për themelimin e kësaj Byroje. Duhet thënë fillimisht se ky projektligj kaloi veç në qeveri. Duhet të kaloj në Kuvend, e pastaj edhe testin e Kushtetueses nëse është e nevojshme.

Në tabelen (e paplotë) LVV paraqet hapat në këtë mënyrë: U themelua në dhjetor 2021, partitë opozitare e dërguan në Kushtetuese, 17 muaj u vonua vendimi, sot u miratua sërish Ligji me ndryshimet e reja.

Hilja

Hilja e këtij “informimi” koinsiston së pari se aty nuk përmendet fare se Ligji u rrëzua tërësisht nga Gjykata Kushtetuese, që përbën faktin kryesor të fatit të këtij ligji. Tjetër, LVV shënjuan me të kuqe faktin se partitë opozitare e dërguan në Kushtetuese këtë ligj, duke e paraqitur si fakt negativ. Por vendimi i Kushtetueses për ta rrëzuar tërësisht ligjin tregon se ishte e domosdoshme të dërgohej aty. Sepse Ligji siç ishte miratuar binte ndesh totalisht me Kushtetutën e vendit.

Tjetër, vendimi i Kushtetueses që u injorua në këtë “informim” nga LVV bie ndesh me vetë deklaratën e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila para një muaji kur njoftoi se po rishkruhet ky ligj kishte thënë “fokus i diskutimit ishin rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, me theks të vecantë legjislacioni ekzistues dhe të dhënat relevante institucionale për çështjet përkatëse që adreson reforma e tillë”.

Pra, në takime profesionale ministrja “e pranon” Aktgjykimin e Kushtetueses, ndërsa kur informohet publiku me profil të VV-së, vet Aktgjykimi “avullohet”, e procesi deri aty, paraqitet si negativ.

Kushtetuesja e rrëzoi tërësisht

Gjykata Kushtetuese para dy muajsh kishte rrëzuar tërësisht Ligjin Për Byronë e Konfiskimi të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO46/23, me parashtrues Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese bazuar në autorizimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë ( 8 ) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të konstatojë, me tetë ( 8 ) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106 [Papajtueshmëria] të Kushtetutës; (v) të konstatojë, me tetë ( 8 ) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Shpërndaje në

U Kopjua