Live

Kurti udhëton për në New York, pritet të zhvillojë takime bilaterale, synohet thellimi i raporteve me vendet partnere

09:21 / 25 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar drejt New York-ut ku pritet të zhvillojë takime bilaterale në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79 të Asambles së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan Kosovalive.net.

Sipas njoftimit të Zyres së Kryeministrit, përmes takimeve që do të zhvilloje synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere.

Poashtu thuhet se gjatë qëndrimit atje, Kurti bashkë me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz do të takojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA.

“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhet në njoftim.

Kurti do të mbajë edhe ligjëratë në Universitetin Yale mbi rrugëtin e Kosovës 25 vjet pas çlirimit.

“Gjatë qëndrimit në ShBA, Kryeministri Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz gjithashtu do të takojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës atje. Në fund të vizitës, kryeministri Kurti do mbajë ligjëratë në Universitetin prestigjioz Yale, mbi rrugëtimin demokratik të Republikës së Kosovës 25 vjet pas çlirimit, qeverisjen dhe rritjen ekonomike”, thuhet në njoftimin për media të Zyres së Kryeministrit.

Shpërndaje në

U Kopjua