Live

Konjufca pret në takim ambasadoren e re të Holandës, flasin për çështjet aktuale

15:37 / 25 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Karin Boven.

Teksa e ka uruar për detyrën e re, Konjufca ka potencuar se mbështetja e Holandës për Kosovën është tejet e nevojshme dhe se e njëjta duhet të vazhdojë, raporton gazeta online Reporteri.net.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për çështje të aktualitetit, përfshirë edhe zhvillimin e mëtejshëm socio-ekonomik.

“Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadoren për vizitën, duke e uruar për detyrën e re. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e Holandës ndaj Kosovës nëpër etapa të ndryshme, si dhe e vlerësoi mbështetjen e shtetit holandez ndaj vendit tonë që prek shumë sfera, duke përfshirë edhe atë të integrimeve. Sipas tij, është tejet e nevojshme që kjo mbështetje të vazhdojë. Në takim u diskutuan edhe çështje të aktualitetit, ku kryetari Konjufca theksoi se mbështetja e Holandës është shumë e nevojshme dhe e mirëpritur në lidhje me sfidat e ndryshme që kemi përpara, përfshirë edhe ato të zhvillimit të mëtejshëm socio-ekonomik, të stabilitetit dhe ndërveprimit për lehtësimin e çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën. Bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin midis dy vendeve tona, si dhe u pajtuan për nevojën e thellimit të raporteve bilaterale në të gjitha fushat”, thuhet në komunikatë.

Tutje, ambasadorja e ka falënderuar Konjufcën për pritjen, e njëkohësisht ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë të bashkëpunimit.

“Ajo u shpreh se mbështetja e Holandës në drejtim të Kosovës do të vijojë edhe në të ardhmen”, thuhet në përfundim.

Shpërndaje në

U Kopjua