Live

Haradinaj komenton kritikat e Hovenierit: Këmbanat bien për ata që kanë vesh

15:51 / 25 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar kritikat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, ndaj Qeverisë së Kosovës, i cili ka thënë “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo shprehje e thënë nga Hovenier, është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë që “ka përzgjedhur Kosova”, raporton gazeta online Reporteri.net.

“Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyqur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Martti Ahtisaarit. Shprehja e tij “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni” është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, ka shkruar Haradinaj.

Njëherit, Haradinaj ka shkruar se Hovenier ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në fjalën e tij hyrëse në Samitin e Kosovës për Paqe e Demokraci, ka kritikuar qasjen e deritanishme të Qeverisë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, nëpërmjet një thënie të urtë: “Gjyshi im ka thënë se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino në pragun e derës së atij klubi”.

Shpërndaje në

U Kopjua