Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor që dyshohet për plagosjen e një gruaje në Prishtinë.
Në njoftimin e IPK’së thuhet se të njëjtit i është konfiskuar arma zyrtare që dyshohet se është përdorur në këtë rast, shkruan Reporteri.net.
“Lidhur me rastin e parë policia ka pranuar informacione sot pas orës 12:00 për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore. Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore në këtë rast është lënduar një person nga shkrepja e armës. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore. I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) është shoqëruar në Inspektoratin Policor përderisa është rekomanduar suspendimi i tij si dhe i është konfiskuar arma zyrtare e cila dyshohet se është përdor në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK’së.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha për Gazetën Reporteri se viktima është dërguar për tretman mjekësor.
“Sot rreth orës 12:20, kemi marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.