Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur shortin për renditjen e partive politike në fletëvotime për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke përfshirë edhe Listën Serbe.
LVV-ja ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër certifikimit të Listës Serbe.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka akuzuar KQZ-në për shkelje të ligjit. Ai ka theksuar se, sipas nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, çdo akt administrativ duhet të pezullohet derisa të vendoset ankesa në organin më të lartë, në këtë rast PZAP.
Sallahu ka shtuar se KQZ-ja ka shkelur ligjin duke ndarë numrin për Listën Serbe, pa pritur vendimin përfundimtar të PZAP-së.
“KQZ- shkelë serish ligjin! Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë ankesë ne PZAP- kundër vendimit të KQZ-së lidhur me certifikimin e listës serbe. Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP. Kqz ka shkelur ligjin me rastin e ndarjes së numërit për subjektin politik Lista Serbe, duke mos pritur vendimin përfundimtar të PZAP-së”, ka shkruar Sallahu në Facebook.