Live

Një muaj paraburgim ndaj personit që dyshohet se kërcënoi Kurtin – çka thuhet në vendimin e Gjykatës?

19:02 / 13 Janar 2025

Nga Kosova Live

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj M.R., i cili dyshohet se ka kanosur Kryeministrin Albin Kurti.

Këtë e ka konfirmuar Hateme Haxhaj-Haziri, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykaten Themelore në Mitrovicë.

Ndësa, në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se të dyshuarit iu caktua masa e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “Kansoje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të marrë më 11 janar 2025, thuhet se në seancën dëgjimore, prokurorja Albana Parduzi e ka elaboruar kërkesën për caktim të paraburgimit, duke thënë se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Kurse, mbrojtësja e të dyshuarit, avokatja Jelena Krivokapic kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.

“Me vet faktin se i mbrojturi im e ka pranuar veprën ajo më nuk është dyshim i bazuar, nuk ekzistojnë asnjëri nga arsyet e posaçme në të cilat prokuroria thirret, për arsye se nuk ekziston rreziku nga përsëritja e veprës, kjo edhe me vetë veprimin e tij të nesërmen pasi që e ka bërë këtë vepër i mbrojturi im e ka kuptuar që ka gabuar dhe është frikësuar, është penduar, sepse natën paraprake ka qenë në gjendje të alkoolizuar dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm se çfarë është duke vepruar dhe vetëm në mëngjes kur ka hyrë në faqen e instagramit të tij e ka kuptuar se çfarë foto gjenden aty”, citohet të ketë deklaruar avokatja.

Sipas saj, fotot janë fshirë menjëherë dhe i dyshuari e ka mbyllur llogarinë, me çka sipas saj ka treguar pendim të thellë dhe e ka thyer edhe telefonin.

Avokatja Krivokapic kishte kërkuar që ndaj të mbrojturit të saj të caktohet një masë alternative, sikurse është arresti shtëpiak. Tha se meqenëse M.R., e ka pranuar fajësinë, ka pritur që çështja të procedohet direkt me aktakuzë.

Në anën tjetër, i dyshuari M.R., u pajtua me fjalët e mbrojtëses së tij, ndërsa tha se e pranon veprën në tërësi dhe shprehet i penduar.

“Pendohem dhe e pranoj veprën në tërësi dhe premtoj se nuk do të përsërisë vepër të tillë. Nuk kam asnjë mendim të keq për kryeministrin dhe nuk kam asnjë interesim për organizatën “Brigada e Veriut” dhe nuk është në interesin tim pasi që kam jetën time, këto veprime kanë qenë në gjendjen time të alkoolizuar”, thuhet të ketë deklaruar i dyshuari.

I njëjti ka kërkuar nga Gjykata që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak, me premtimin se do ta respektojë.

Më pas, Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të palëve dhe provave në shkresa të lëndës, gjeti se kërkesa e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj M.R., është e bazuar.

Aty thuhet se dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale vërtetohet nga CD me pamje të postimeve të tij në llogarinë “Klani zv” në Instagram, ku janë postuar dy fotografi, e që në njërën prej tyre paraqitet fytyra e të dëmtuarit (kryeministrit Kurti) dhe mbi fytyrën e tij janë vendosur pikat e shënjestrës së armës. Ndërsa, në fotografinë e dytë është paraqitur flamuri i Serbisë me mbishkrimin “ja ku jemi o bozhiq” dhe logo e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”.

Në aktvendim, thuhet se Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.R., është e bazuar, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Sipas Gjykatës, marrë parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, peshën e saj, faktin e ndërlidhjes së dy postimeve pra logon e organizatës terroriste dhe forografinë e Kurtit me shënjestrim të armës, tregon shkallën e lartë të dashjes së të pandehurit në raport me veprën që dyshohet se e ka kryer.

Po ashtu, Gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që të përsërisë veprën apo të kryejë vepër të re penale, ose të përfundojë veprën që është nisur ta kryejë.

Më tej, thuhet se edhe në shtëpinë e të pandehurit është gjetur një armë pa leje, por që përgjegjësinë për të e ka marrë babai i të dyshuarit, për të cilin po zhvillohet një procedurë e ndarë. Megjithatë, pasi ka jetuar në të njëjtin ambient, thuhet se ka pasur qasje të lehtë në armë.

Rrethanë tjetër që Gjykata e mori parasysh për caktimin e paraburgimit, është fakti se M.R., është i njohur për Policinë, pasi më 21 tetor 2024 rezulton se ishte ndaluar duke shkruar grafite me përmbajtje nacionaliste afër Komunës së Zveçanit dhe i ishte shqiptuar gjobë prej 300 euro për “Vandalizëm”.

“Vet fakti se edhe pas shqiptimit të gjobës, për çka i është tërhequr vërejtja se veprimet e tij janë të ndaluara dhe të sanksionuara me ligj, i njëjti tani kryen veprën penale të tillë ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, për gjykatën paraqet arsye të mjaftueshme për të krijuar bindjen se me çdo masë tjetër nuk do të evitohej rreziku i përsëritjes”, thuhet në vendim.

Kurse, është refuzuar propozimi i avokates që të pandehurit t’i caktohet ndonjë masë më e butë- përkatësisht arresti shtëpiak, me arsyetimin se propozimi i tillë nuk gjen mbështetje në provat konkrete të propozuara nga Prokuroria. Gjykata vlerësoi se me masat tjera më të buta, nuk arrihet qëllimi për parandalimin e përsëritjes së veprës penale dhe pengimit të zhvillimit të papenguar të procedurës penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Ndryshe, më 10 janar 2025, Policia konfirmoi se një person është arrestuar në veri, nën dyshimin se përmes rrjeteve sociale e ka kanosuar kryeministrin Albin Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...