Live

Dështon takimi për të pagjeturit në Bruksel, Hoti: E orkestroi Petkoviqi

14:41 / 15 Janar 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, ka konfirmuar se takimi i planifikuar në Bruksel për Personat e Zhdukur nuk është realizuar.

Ai tha se në Bruksel i pranishëm kishte qenë edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, edhe pse ai s’do të duhej të shkonte meqë takimi ka qenë i formatit me zëvendësues të komisioneve.

“Sot, më 15 janar 2025, ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel ashtu siç është paralajmëruar. Megjithatë, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve. Kryenegociatori i Serbise ishte i pranishem në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve”, ka shkruar Hoti.

Ai tha se Petkoviq ishte ai që e ka orkestruar dështimin e këtij takimi.

“Prania e z. Petkoviç në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”.

Hoti tha se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim, përveç që banal, është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel.

“Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”.

Hoti njoftoi se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ka parashtruar kërkesat e tyre sipas agjendës së parashikuar dhe për këtë “kemi marrë njoftimin nga z. Lajcak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”.

Ky takim i planifikuar do të ishte i pari në Bruksel i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit.

Pala serbe ka deklaruar se u largua nga bisedimet për shkak të një aksioni të Policisë së Kosovës ku u mbyllën strukturat paralele në dhjetë komuna të vendit.

Delegacioni serb e ka cilësuar këtë si “dhunë institucionale të paprecedentë”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot se me aksion të përbashkët të kësaj ministrie me Policinë, Ministrinë e Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal janë mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...