Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se s’ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën struktura paralele serbe pasi tha se s’ka marrë kërkesë zyrtare.
Pas kësaj, Policia e Kosovës ka lëshuar njoftim për media ku thuhet se qëllimi i operacionit ka qenë vendosja e rendit, ku me kërkesë të Ministrisë së Administrin të Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, kanë asisutar zyrtarët e kësaj ministrie dhe të asaj të Tregtisë për të ndërprerë aktivitetetet e jashtëligjshme.
Tutje thuhet se veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente.
Lidhur me këtë bastisje, kanë reaguar sot edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
Ata kanë thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.
Njoftimi i plotë i policisë:
Ndërpriten aktivitetet e disa institucioneve të jashtëligjshme të cilat vepronin në Kosovë
Prishtinë, më 15 janar 2025
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, angazhohet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.
Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.
Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.