Live

“Statusi i strukturave ilegale të zgjidhet në Bruksel”, BE: Besojmë në fuqinë e dialogut, palët të tregohen konstruktive

14:12 / 16 Janar 2025

Nga Kosova Live

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për konstruktivitet në dialog.

Kjo vjen pas deklaratës së djeshme të BE-së referuar mbylljes së strukturave paralele në dhjetë komuna të vendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

BE-ja gjatë ditës së djeshme ka thënë se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut. E zëdhënësja e BE-së, Anita Hipper gjatë ditës së sotme në një konferencë për media, e pyetur për deklaratën e djeshme, ka përsëritur se për Bashkimin Evropian, dialogu mbetet parësor.

“Ne gjithmonë besojmë në fuqinë e dialogut, kjo është parësore dhe e domosdoshme dhe kjo është pse bëjmë përpjekje për këtë dhe arsyeja pse kërkojmë nga të gjitha palët që ta bëjnë këtë. E keni parë deklaratën tonë, dhe atë çka është thënë më parë. Është e rëndësishme që ta vazhdojmë dialogun në mënyrë konstruktive”, tha Hipper.

Pas deklaratë së djeshme të BE-së, reagoi Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i cili i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën.

Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.

“Për sqarim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Sot, operacioni i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione”, ka shkruar Bajrami në platformën X.

Kujtojmë se gjatë një operacioni policor të mërkurën janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.

Aksioni për mbylljen e komunave paralele është kryer në dhjetë komuna të vendit. Ai u kritikua nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe ambasadat tjera të akredituara në vend.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...