Kancelari gjerman Olaf Scholz po udhëton drejt Parisit këtë mëngjes për të takuar presidentin francez Emmanuel Macron në atë që dikur do të shihej si takimi absolut i pushtetit në krye të politikës europiane.
Kësaj radhe është ndryshe – deri në atë pikë sa e përjavshmja gjermane Der Spiegel e quajti takimin e dy ‘rosave të çalë’ (një shprehje që përdorët për të përshkruar kur dikush ka pak autoritet dhe është në pozitë të dobët).
Derisa Scholz lufton për të përcjellë mesazhin e tij dhe është pas në sondazhe përpara zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm në Gjermani dhe Macron lufton që të përballet me një krizë politike pothuajse të përhershme brenda vendit, festimet e 62-vjetorit të Traktatit të Elysee ka të ngjarë të jenë disi të heshtura, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Atyre do t’iu duhet të adresojnë çështjet si Donald Trump, lufta në Ukrainë, si dhe rreth pozicionit dhe konkurrencës së Europës në një botë që ndryshon dinamikisht.
Një sondazh i 1203 të rriturve francezë, i publikuar javën e kaluar, tregon se për herë të parë, një shumicë e ngushtë e francezëve – 51% – në fakt nuk e pëlqejnë aq shumë Gjermaninë, edhe nëse mendojnë se marrëdhëniet franko-gjermane janë përgjithësisht të mira.
Scholz nuk është i vetmi politikan kryesor gjerman që udhëton në Francë për momentin.
Anke Rehlinger, kryetarja e dhomës së lartë të parlamentit, Bundesrat, ndodhet në Paris nga e marta deri të enjten dhe është planifikuar të takohet me kryetarët e dy dhomave të parlamentit francez, Asamblesë Kombëtare dhe Senatit.
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius do të takohet të enjten në Paris me homologun e tij Sébastien Lecornu.