Shqipëria ka numrin më të ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor të të huajve të parregullt që hynë në vend dhe u referuan në systemin e azilit gjatë vitit 2024, ndërsa vetë shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në rajon për nga numri i kërkesave për azil që kanë paraqitur në vendet europiane.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) nga 1388 të huaj të parregullt që hynë në Shqipëri në vitin 2024 vetëm 87 prej tyre u referuan në fazën e parë në sistemin shqiptar të azilit.
Sipas të dhënave të UNHCR-së, vendet e tjera të rajonit kishin tregues më të lartë të referimeve në azil të të huajve të parregullt në fazën fillestare.
Kështu nga 25333 kërkesat paraprake për azil që u paraqitën për herë të parë në vendet e Ballkanit, Serbia kishte 850, Mali i Zi 2968, Bosnjë Herzegovina 21450 ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kishin të dhëna të referuara për këtë fazë.
Por megjithë numrin e lartë të referimeve për azil në fazën fillestare sipas UNHCR-së aplikimet për azil për herë të parë ishin tejet të ulta në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2024.
Kështu nga 1125 aplikime për azil që u paraqitën për herë të parë në vendet e Ballkanit Shqipëria kishte 17 aplikime, Maqedonia e Veriut kishte 333 , Serbia 219 , Mali i Zi 132 , Bosnjë Herzegovina 234 dhe Kosova 190.
Ulja e aplikimeve për azil në raport me referimin në fazën fillesatre lidhet pasi të huajt e parregullt nuk qëndrojnë në këto vende për të vijuar procedurat e azilit por largohen drejt vendeve europiane në mënyrë të parregullt.
Sipas UNHCR-së nga janari deri në dhjetor të vitit 2024 , rreth 17,500 refugjatë dhe migrantë vlerësohet të kenë kaluar tranzit nëpër Ballkanin Perëndimor si pjesë e lëvizjeve të përziera.
UNHCR thotë se rreth 2,300 persona ishin të pranishëm në Ballkanin Perëndimor deri në fund të dhjetorit 2024, duke përfshirë 99 fëmijë të pashoqëruar.
Sipas UNHCR-së 35% e të huajve të parregullt ishin të pranishëm në Serbi, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (34.5%), Kosova (12%), Shqipëria dhe Mali i Zi (7% secili) dhe Maqedonia e Veriut (4.5%).
Sipas UNHCR-së numri më i madh I të hujave të parregullt që hynë në Ballkan gjatë vitit 2024 ishte nga Afganistani (15%), Siria (12%), Maroku (10%), Egjypti (5%), Irani (2% ) etj.
Sipërmarrjet në vendet e Ballkanit Perëndimor po paraqesin gjithnjë e më shumë nevoja për fuqi punëtore prej largimit të shtetasve të tyre dhe sidomos të rinjve drejt Bashkimit Europian ku Shqipëria sipas statistikave të EUROSTAT është vendi më i prekur në rajon, raporton VOA.
Por, sipas analistëve të ekonomisë, vendet e Ballkanit nuk po munden ti zbutin nevojat për fuqi punëtore nga integrimi i të huajve që hyjnë në Ballkanin Perëndimor në mënyrë të parregullt pasi ata qëndrojnë përkohësisht në vendet e Ballkanit dhe më pas kalojnë drejt vendeve europiane në mënyrë të parregullt.