Live

“Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, përqindje e vogël e të mbijetuarve të dhunës seksuale morën mbështetje dhe drejtësi

17:13 / 04 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Raporti i punuar nga Medica Gjakovë,  për traumat e Paharruara nga konflikti në Kosovë (1999) dhe “Dhuna Seksuale gjatë Konfliktit në Kosovë: Pasojat dhe Përpjekjet për Mbështetjen e të Mbijetuarve”, vë në pah se vetëm një përqindje e vogël e të mbijetuarve ka arritur të siguriojë mbështetjen dhe drejtësinë që meritojnë. 

“Dhunimet seksuale gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë kanë prekur rreth 20,000 persona, përfshirë gra dhe burra, duke lënë pas pasoja afatgjata psikologjike, fizike dhe sociale. Sipas raportit të fundit të punuar nga Medica Gjakova “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, vetëm një përqindje e vogël e të mbijetuarve ka arritur të sigurojë mbështetjen dhe drejtësinë që meritojnë. Ndërsa janë bërë përpjekje për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë konfliktit, raportet tregojnë se ende ka shumë për të bërë.”, thuhet në raport.

Nga ky raport del se është thelbësore që institucionet, organizatat dhe shoqëria të bashkëpunojnë për të siguruar drejtësi, dinjitet dhe mbështetje për këtë kategori.

“Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse mund të adresohen sfidat dhe të promovohet shërimi i plotë për të mbijetuarit dhe familjet e tyre.”, thuhet tutje.

Sipas të dhënave nga hulumtimi i zhvilluar nga Medica Gjakova “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, mbi 80% e të mbijetuarve përjetojnë trauma psikologjike afatgjata, si çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), depresioni dhe ankthi.

“Pothuajse 70% e të mbijetuarve kanë raportuar ndjenja të izolimit social dhe stigmatizimit të vazhdueshëm. Ky stigmatizim shoqëror shpesh pengon të mbijetuarit të kërkojnë ndihmë dhe të angazhohen në jetën publike. Raporti tregon se rreth 40% e grave të mbijetuara vuajnë nga probleme të shëndetit riprodhues, përfshirë komplikime nga shtatzënitë dhe abortet e pa dëshiruara. Rreth 30% e të mbijetuarve janë ekspozuar ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme, duke u përballur me pasoja afatgjata për shëndetin e tyre fizik.”, është thënë në raport.

Po ashtu vlerësohet se varfëria dhe mungesa e mundësive ekonomike janë sfida të mëdha për shumë të mbijetuar.

“Rreth 60% prej tyre nuk janë të punësuar, për shkak të pasojave psikologjike dhe fizike që ndikojnë në aftësinë e tyre për të punuar. Programet e fuqizimit ekonomik, si ato të ofruara nga Medica Gjakova, kanë arritur të trajnojnë mbi 200 gra dhe burra në fusha të ndryshme si bujqësia, artizanatet dhe marketingu digjital, duke ndihmuar rreth 50% të tyre të sigurojnë punësim, ose të fillojnë biznese të vogla. Sipas të dhënave nga Komisioni për Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Konfliktit, deri tani janë pranuar mbi 1,650 aplikime, ndërsa shumë të tjera janë ende në proces shqyrtimi. Megjithatë, vetëm një përqindje e vogël e rasteve ka arritur të ndjekë ligjërisht autorët e krimeve, për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor dhe frikës nga ritraumatizimi gjatë proceseve gjyqësore.”, është thënë në këtë raport.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...