Live

Stambolli nën alarm: 22 urdhër-arreste në bashki pas burgosjes së Imamoglu-t

15:12 / 20 Maj 2025

Nga Kosova Live

Autoritetet turke kanë lëshuar të martën urdhër-arreste për 22 persona, si pjesë e një hetimi të zgjeruar për korrupsion që përfshin Bashkinë Metropolitane të Stambollit (IBB).

Ky zhvillim ndodh vetëm dy muaj pas arrestimit të kryebashkiakut të qytetit, Ekrem İmamoglu, një nga rivalët më të fortë politikë të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, transmeton klankosova.tv.

Imamoglu, i cili ka mohuar çdo akuzë, u arrestua zyrtarisht më 23 mars, vetëm pesë ditë pasi u ndalua dhe në të njëjtën ditë që u shpall kandidat presidencial i Partisë Republikane Popullore (CHP).

Pas arrestimit, ai u pezullua nga detyra me vendim të Ministrisë së Brendshme.

Goditja e fundit ligjore përfshin edhe figura të tjera të larta të bashkisë, përfshirë Shefin e Departamentit të Shtypit, Publikimeve dhe Marrëdhënieve me Publikun, Taner Çetin.

Më herët, në fund të prillit, më shumë se 50 persona u arrestuan për akuza që përfshinin ryshfet dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Ndër ta ishte edhe Menaxherja e Zonimit të Bosforit në bashki, Elçin Karaoglu.

Opozita sipas euronews.al, ka reaguar ashpër ndaj këtyre zhvillimeve. Nënkryetari i CHP-së, Ali Mahir Başarır, akuzoi autoritetet për shënjestrim politik të drejtuesve të bashkisë:

“Ekziston një sistem, qëllimi i vetëm i të cilit është të pengojë Bashkinë Metropolitane të Stambollit të funksionojë”, tha ai.

Presidenti Erdogan, ndërkohë, ka lënë të kuptohet se hetimet do të thellohen, duke deklaruar: “Kjo është arsyeja e panikut të tyre.”

Arrestimi i Imamoglu-t shkaktoi protesta masive në shumë qytete të Turqisë, me pjesëmarrje të madhe qytetare dhe përplasje me forcat e rendit.

Shpërndaje në

U Kopjua